Mesi mund Atletikon, i thotë Realit se titullin s’e fiton dot lehtë

Sërish realizoi një gol vendimtar, jo për herë të parë, dhe me gjasë jo për herë të mbrame. Lionel Mesi ishte diferenca mes Atletikos dhe Barcelonës në stadiumin “Uanda Metropolitano” të Madridit, sipas një skenari që pritej dhe që dukej si “i shkruar” që më parë. Kush tjetër mund ta shënonte atë gol, dhe a mund të ishte ndryshe, përveçse shumë i bukur? Në minutën e 86-të, kapiteni pati një “shkëndijë” prej gjeniu, kombinoi shpejt me Luis Suarezin, “injoroi” Grizmanin pa dashur ta ofendonte, dhe ekzekutoi saktë gjuajtjen që dërgoi topin në rrjetë. Barcelona 1, Atletiko 0. Ishte ky rezultati përfundimtar që i bëri katalanasit të mbërrinin sërish Realin në krye të renditjes së La Ligës. Të dyja skuadrat kanë nga 31 pikë, duke qenë vetëm 1 pikë larg Seviljes së Hulen Lopetegit, por me ndryshimin se kanë nga një ndeshje më pak, pikërisht El Klasikon që do ta luajnë në 18 dhjetor.

Ky ishte goli i 614-të i Mesit për Barcelonën, dhe i 428-ti në kampionat. Diferenca me Kristiano Ronaldon sot është 116 rrjeta, ndonëse portugezi i Realit arriti mesatare më të lartë sesa argjentinasi: 1.07 gola për ndeshje ndaj 0.93. Superylli synon titullin e 11-të në Spanjë, dhe nëse do t’ia dalë, do të jetë vetëm 1 titull prapa rekordmenit absolut, Fransisko Hentos (Gento) të Realit.

Sfidanti.al