Ai nuk ndalet kurrë së luajturi, së fituari dhe së shënuari. Me golin e shënuar ndaj Levantes, Lionel Mesi vulosi titullin kampion për Barcelonën, të dytin radhazi dhe të 26-in në histori. Reali i Madridit me 33 nuk duket më aq shumë larg. Kapiteni i katalanasve fitoi titullin e 10-të personal kampion (bashkë me skuadrën, kuptohet), duke u barazuar me legjendën Pirri, ndërsa në Spanjë i mbetet vetëm legjenda tjetër, ylli i Realit, Fransisko Gento (apo Hento, siç e lexojnë spanjollët), që ka 12. Me kontratën deri në 2021, dhe me shpresën që të rinovojë për gjithë jetën, Mesi mund ta mbërrijë dhe ta kalojë edhe ish-sulmuesin e madh “merenges”.
Historia e Leos në La Liga është një histori suksesi shumëdimensionale. Ai ka luajtur 450 ndeshje dhe ka shënuar 417 gola, me rendimentin gati 1 gol për ndeshje, diçka fantastike po të mendosh se ai ia nisur të luajë në kampionat që në moshën 17-vjeçare. Në 450 ndeshje, Mesi ka 338 fitore, 73 barazime dhe vetëm 39 humbje. “Pleshti” do të fitojë me siguri të plotë Këpucën e 6-të të Artë në Spanjë, një rekord, ndërsa është në garë me Kilian Mbapenë për Këpucën e Artë të Europës. Edhe kjo do të ishte e gjashta për të, diçka e paprecedentë në histori.
Sfidanti.al