Mesi duhet të pushojë në Sevilje, por pret të hyjë nga stoli!

Trajneri Kike Setien e bëri të qartë në konferencën për shtyp, dhe e dha sinjalin publikisht se çfarë plani ka. Lionel Mesi duhet të pushojë në ndeshjen e radhës. Pas dy takimeve në pak ditë, kapiteni gati 33-vjeçar duhet të jetë i lodhur dhe trupi mund të jetë duke i dhënë disa sinjale. “Edhe Mesi e di se duhet të pushojë, – tha Setieni, – ai e njeh shumë mirë trupin e tij, një lojtar që ka 14 vjet që luan si profesionist e njeh shumë mirë trupin e tij, dhe ai mund ta zgjasë karrierën, siç kemi bërë të gjithë”.

Ndeshja do të jetë e vështirë sepse do të luhet në fushën e Seviljes, dhe me Barcelonën që ka vetëm 2 pikë më shumë sesa Reali i Madridit, që duket në formë të madhe pas fitores 3-0 ndaj Valencias. Gjithsesi, Mesi do të dojë të luajë, të ndihmojë ekipin për të fituar dhe të shënojë golin numër 700 në karrierë. Me gjasë, Setien do të zgjedhë ta mbajë në stol dhe ta hedhë në fushë në pjesën e dytë, pasi vetë kapiteni ka thënë se “më mirë të hyj si zëvendësues, sesa të zëvendësohem gjatë lojës, kjo nuk më pëlqen fare”.

Sfidanti.al