Nuk është trofeu më i rëndësishëm i sezonit, por mund të jetë një nga të paktët për këtë ekip ku janë kombinuar shumë të rinj të talentuar me veteranë me mendje të ngritur, por edhe yje që kërkojnë shkëlqimin e humbur. E tillë Barcelona në Kupën e Mbretit ku arriti në çerekfinale pas fitores së vështirë 2-1 në fushën e Rajo Vajekanos. Me Mesin titullar, katalanasit u desh të vuanin shumë për të fituar me gola pikërisht të Mesit e De Jongut, ndërsa vendasit kaluan të parët në epërsi. Në 25’ e fundit trajneri Kuman hodhi në fushë Pedrin, Zhordi Albën e Dembelenë duke shmangur turpin, që më parë e provuan Reali dhe Atletiko.
Me ndihmën e Mesit, Barcelona kërkon kupën e 31-të në histori. Argjentinasi ka 76 ndeshje në Kupën e Mbretit, 1 më shumë sesa rekordmeni për katalanasit, Samitier, ndërsa ka fituar 6 kupa dhe nëse fiton edhe një tjetër barazohet me rekordin “blaugrana” të Agustin Gainzës. Samitier mban rekordin me 64 gola për Barcelonën në këtë garë ndaj 54 të Mesit, ndërsa rekordin absolut e mban Telmo Zarra i Bilbaos me 81 gola në vitet 1939-1957. Me rrjetën në fushën e Rajos, Mesi arriti në 720 gola zyrtarë në karrierë.
Sfidanti.al