Një ekip sërish “fëminor” i zgjedhur nga trajneri Andrea Pirlo bëri detyrën në stadiumin “Alianc”. Kristiano Ronaldo kishte marrë pushimet të paktën për dy ditë, duke mos qenë i grumbulluar, e nëse në media kishte nisur stuhia për shkeljen e protokollit Kovid nga ana e tij, Juventusi bëri që të harrohej numri 7. Fitore 4-0 ndaj SPAL-it në Torino, ku 6 lojtarë ishin të “linjës së blertë” (siç e thonë italianët), duke bërë të gjithë bashkë 121 vjeç moshë. De Ligt 21, Demiral 22, Dragushin 18, Frabota 21, Faxholi 19 dhe Kulushevski 20. Golat u shënuan nga Morata me penallti, Frabota, Kulushevski dhe Kieza. Juventusi arrin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë ku do të luajë ndaj Interit, me ndeshjet në 2 e 9 shkurt, e para në “San Siro” dhe e dyta në Piemont.
Sa për Ronaldon, ai vendosi të shkonte në Kurmajer (Courmayeur) për të festuar 27-vjetorin e shoqes së tij, Georginës. Mediat italiane shkruajnë se kjo pikë turistike alpine ndodhet në Luginën e Aostës (Val d’Aosta), që është zonë “portokalli”, pra ai nuk duhej të ishte larguar nga Torino. Gjithsesi, nuk është se për Ronaldon janë marrë ndonjëherë masa siç është bërë për qytetarë të thjeshtë.
Sfidanti.al