Momentet e fundit në Barcelonë. Gazetarët e ndoqën si gjahun më të madh në botë, rekordmenin e transferimeve të futbollit, Nejmarin. Paris SG e bëri zyrtare: Ai firmosi me ne! Me t’u mësuar lajmi, qindra e mijëra tifozë parizienë u harbuan në kryeqytetin e Francës. E njëjta ekstazë kolektive, një fenomen iracional, që shpresohet të zhduket sa më parë, dhe që është parë që nga koha e Elvis Preslit apo e Bitëllsave. Këta tifozë nuk çmenden kështu as kur u lind gruaja apo kur marrin një lajm të mrekullueshëm familjar, pra këtu ka diçka që nuk shkon.
Gjithsesi, çmenduria do të vazhdojë, siç bënë, për arsye krejt të tjera, gazetarët franncezë dhe të huaj në Paris, njëlloj si ata në Barcelonë. Sulmuesi brazilian, ndërsa largohej, përgatiti një videomesazh për tifozët. “Jeta e një sportisti është e mbushur me sfida, – tha ai, – Disa detyrohemi t’i përballojmë, disa vendosim vetë që t’i përballojmë, për ta bërë sa më të madhe karrierën tonë, që është e shkëlqyer, por e shkurtër. Barcelona ishte shumë më tepër se një sfidë, ishte ëndrra e një fëmijëve që luante në videgejme me yjet e saj. Barcelona ishte një komb që përfaqësonte Katalonjën. Pata fatin të luaja me sportistin më të madh që kam parë ndonjëherë, dhe jam I sigurt se nuk do të shoh tjetër si ai, sa të jem gjallë, Leon Mesin. Por, unë doja një sfidë të re, dhe për herë të dytë do t’i dal kundër babait tim”.
Në çmendurinë e aeroportit Sharl De Gol, pak fjalë I tha edhe babai I tij, Nejmar I Vjetri. “Ky ishte vullneti I djalit tim dhe unë duhej ta respektoja”, – u shpreh ai, shkurt. Ceremonia, një nga më të ndjekurat e vitit në botë, vazhdoi me udhëtimin e futbollistit më të shtrenjtë në botë, nëpër rrugët e qytetit të cilësuar më të bukur në rruzull.
Vijoi rutina e vizitës mjekësore në spitalin amerikan, “Noij” mbi Senë. Nejmar doli shkëlqyeshëm fizikisht, dhe I gatshëm për të nisur kampionatin francez këtë fundjavë. Më tej mbërritja në stadiumin “Park dë Prens”, ku ndodhet selia e klubit, gjithnjë nën vëzhgimin e rreptë të forcave të sigurisë. Njezëtepesëvjeçari I hodhi një sy asaj që do të jetë shtëpia e tij e re.
Ndërkaq, jo pak benzinë zjarrit I hodhi presidenti I PSG-së, Naser Al Helaifi. “A doni fishekzjarrë ju të medias, – komentoi ai, – Ja ku keni fishekzjarrin më të madh të botës, lojtarin më të mirë të botës”. Ja një tjetër koment: Ne do të fitojmë më shumë sesa shpenzuam, përpara ardhjes së Nejmarit, PSG vlente 1 miliardë dollarë, sot vlen 1.5 miliardë”.
Në konferencën e shtypit, Nejmar, tha fjalët e para si parizien, pas transferimit prej 222 milionë eurosh. “Ardhja ime këtu nuk ka lidhje me paratë, – theksoi ai, – Nuk kam ç’t’i them tjetër njerëzve që nuk dinë asgjë për personin tim. Nëse do të kisha ndjekur paranë, do të isha tani në ndonjë klub tjetër, në ndonjë vend tjetër. Më vjen keq, që njerëzit ende mendojnë se erdha për paratë, por gjithsesi, unë nuk bëra asgjë të keqe. Askush nuk është I detyruar të qendrojë në një klub, lojtari ka të drejtën të largohet. Jam I lumtur që Paris SG beson tek unë”.
Al Helaifi menjëherë I doli në krah, kur gazetarët e krahasuan me Luis Figon, që la Barcelonën për Realin. “Ai u largua nga Barcelona si një zotëri. Nuk është e drejtë ta krahasoni me lojtarë të tjerë, – arsyetoi presidenti, – Ai u përpoq të shtynte gjithçka për shkak të respektit për tifozët dhe lojtarët e Barcelonës. Jam I tronditur nga kjo pyetje”.
Presidenti nga Katari nuk është gjithsesi, aspak I tronditur për atë që ka bërë. Ai shpreson që tifozët të vërsulen nëpër shitore për të blerë fanelën e Nejmarit, dhe gjithçka tjetër të brazilianit, që sponsorët të shtohen dhe marketingu I klubit në të gjithë botën të arrijë nivele të papara. Cakun e ka caktuar vetë në 1.5 miliardë dollarë.
Sfidanti.al