Më shumë lot sesa fjalë, çfarë lamtumire kjo e Suarezit ndaj Barçës!

Vjen dikur një ditë që njeriu nuk do të donte që të vinte kurrë. E ndjeu thellë Luis Suarezi largimin nga Barcelona, ndaj edhe konferenca e tij e lamtumirës me gazetarët ishte më shumë një seancë lotësh sesa fjalësh. Sulmuesi uruguajan nuk mundi ta mbante veten, ndërsa po largohet “me përdhunë” nga skuadra që ai e donte thellësisht dhe së cilës i dha kaq shumë. Për fat të mirë, është një lamtumirë sportive dhe jo njerëzore, pra Suarez do të lehtësohet shpejt, ndryshe nga ç’ndodh kur ndahemi nga një njeri i dashur apo kur një njeri i dashur ndahet prej nesh.

“Dua t’u bëjë falenderime të gjithëve atyre që e meritojnë, – tha Suarezi i përlotur, – falenderoj klubin që më mori edhe pse unë kisha bërë atë gabim, ndërsa më mbështeti deri në fund. Ishte ëndërr për mua të luaja në klubin më të madh të botës, ku bëra shumë shokë dhe ku isha shumë i lumtur. Fitosha shumë tituj dhe pata fatin të luaja me futbollistin më të madh në histori”. Suarezi pohoi se Mesi i kishte kërkuar të mos shkonte tek Atletiko, por shtoi se dëshiron të konkurrojë në nivele të larta. Ai fitoi 4 tituj kampion me Barçën, 4 Kupa të Mbretit dhe Championsin, ndërsa deklaroi se klubi ka nevojë për ndryshime.

Sfidanti.al