Duket se është duke u menduar dhe se zgjidhja do të jetë e vështirë. Kilian Mbape është futbollisti më i kërkuar në botë, dhe sipas të gjitha gjasave është mes Paris SG dhe Realit të Madridit. Të dyja zgjedhjet kanë pluset dhe minuset e tyre, ndërsa francezi u shpreh i prerë pas fitores ndaj Barcelonës. “Do të ishte absurde që të vendosja për të ardhmen time pas vetëm një ndeshjeje, – u shpreh ai për televizionin “RMC”, – e vërteta është që duhet të reflektoj gjerësisht. Gjithsesi, gjithnjë kam thënë se jam i lumtur këtu dhe se fanela e PSG-së ka shumë rëndësi për mua”.
Parizienët ende nuk e kanë bindur që të rinovojë kontratën që i përfundon në 2022, diçka për të cilën i nxit fort Arsen Vengeri. Drejtori Leonardo nuk po ia del, dhe gjithçka do të varet nga vullneti i sulmuesit. Kushti kryesor për të është që Paris SG të ketë një projekt të rëndësishëm për të fituar Championsin e për të qenë në elitë për shumë vjet. Momenti tregon se sheikët e kanë një ekip të tillë. Gjihsesi, Reali jep mundësinë më të mirë për të fituar Championsin, siç e dinë Ronaldo e Ramos, po ashtu edhe shansin për të luajtur në La Liga kundër Barcelonës, Atletikos, Seviljes, Bilbaos, Valencias, Betisit, Vijarrealit, ndërsa në Francë konkurrenca është më e vogël. Sa për rrogën, ndoshta PSG mund të japë më shumë.
Sfidanti.al