Mbape: Liverpuli është një makinë fituese për meritë të Klopit!

Nuk janë fjalë për t’i tërhequr vëmendjen dhe për t’i rritur aksionet vetvetes. Jo, Kilian Mbape nuk ka nevojë për vlerësimin e Jurgen Klopit, apo për një fanelë të Liverpulit, edhe nëse do ta veshë me të vërtetë në të ardhmen. Sulmuesi francez, kampion i botës, i ka të natyrshme fjalët lavdëruese për kryesuesit e Premier Ligës dhe për trajnerin e tyre.

“Këtë sezon, Liverpuli ka qenë një makineri e vërtetë në Premier Ligë, – u shpreh 21-vjeçari i Paris SG, – ata kanë bërë që fitoret të duken si të lehta, por në të vërtetë, nuk kanë qenë të lehta. Kurrë nuk është e lehtë që të fitosh. Paraqitjet në fushë nuk kanë qenë rastësi, por është meritë e punës shumë të madhe në stërvitje, dhe sepse kanë një trajner shumë të mirë”. Thuhet se Mbape u ndje shumë i nderuar që Klopi takoi babain e tij (me gjasë, për të biseduar për ndonjë transferim të mundshëm”. Vetë Klopi është shprehur se “në gjendjen e sotme, nuk shoh ndonjë klub që të ketë mundësinë ta marrë, por nga ana sportive si të mos e marrësh, ai është një lojtar i madh”.

Sfidanti.al