Kilian Mbape, 18 vjeç, edhe një herë tjetër, tregoi se ai është një nga futbollistët më të talentuar në botë, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve (LK) që ekipi i tij i ri, PSZH, e fitoi thellë 3-0 ndaj Bajernit të Mynihut, duke lënë në hije, madje, edhe Nejmarin dhe Kavanin. Në sy ranë, sidomos, depërtimet mjaft të shpejta të këtij tinejxheri të jashtëzakonshëm, duke i krijuar mjaft probleme mbrojtjes gjermane, ndërkohë që ai arriti të japë edhe një pasim për gol.
“Kjo që bën Mbape në fushë, duket e ‘paligjshme’. Me këtë shpejtësi, ai ka rrezik që të dalë jashtë stadiumit”, thotë, duke qeshur ish-mbrojtësi i njohur anglez Rio Ferdinand që tani punon si komentator televiziv. Vlerësime të mëdha i kanë ardhur futbollistit të ri francez edhe nga shokët e tij të ekipit. “Ndonjëherë, ne nuk arrijmë që ta ndjekim atë, pasi ai vrapon shumë shpejt. Mbape, gjithnjë, merr vendime të drejta, aty për aty, në fushë. Një lojtar i tillë na ka munguar neve dhe jemi të lumtur që e kemi atë”, thotë mesfushori Marko Verati.
Sfidanti.al