‘Nga këndvështrimi im, Ancelotti në ditët e fundit doli kundër 5 lojtarëve shumë të rëndësishëm të skuadrës dhe nuk do t’ia dilte mbanë këtij konflikti. Është e pamundur që të mund të përballosh faktin që të gjithë lojtarët me peshë në skuadër i ke kundër. Kam mësuar një thënie; Armiku më i rrezikshëm është ai që ke në shtrat. Duhet të përballeshim me situatën dhe vendosëm që të shkarkonin Ancelottin në orën 03:30 të mëngjesit-ishte kjo deklatrata e presidentit të Bayernit të Mynihut Uli Hoeness, një ditë pas shkarkimit të trajnerit italian nga detyra që përkoi edhe me humbjen 3-0 të bavarezëve ndaj Paris Saint Germain.
Por si erdhën deri këtu gjërat te Bayerni? Drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë, pas largimit të Guardiolës zgjodhën Ancelottin si personin ideal për të bërë ndryshimin e brezave në skuadër. Por në momentin që italiani filloi të zgjedhë t’u krijojë hapësira të rinjve si Sule, apo lojtarëve të tjerë të huaj si Thiago e James, senatorët e klubit bavarez, Robben, Muller, Boateng e Ribery vendosën t’i kthenin shpinën dhe të mos miratonin vendimet e tij.
Ditën e ndeshjes me PSG, Ancelotti u bëri të ditur drejtuesve të Bayernit se Hummels, Robben e Ribery do të nisnin sfidën nga stoli, ndërsa Boateng u dërgua në tribunë. Klubi u përpoq që ta bindtte italianin, por Ancelotti nuk ndryshoi qëndrim. Në 18:20 të asaj dite Ancelotti ua komunikoi formacionin futbollistëve pa u dhënë asnjë motiv, një vendim që i habiti jo pak ata. Pas humbjes 3-0, Ancelotti në konferencë shtypi theksoi se lojtarët si Hummels nuk janë të rëndësishëm sidomos në ndeshjet kundër klubeve të mëdha dhe se Sule e Javi Martinez ishin më të mirët në fushën e lojës.
Ndërkohë që në zonën mix, Robben la të nënkuptojë se dicka nuk po shkonte në raportet me Ancelottin. ‘Nëse jemi me të? Nuk jap përgjigje-ishte deklarata e Robben, ndërsa Ribery refuzoi të flasë: Është më mirë që të mos them asgjë, duhet të mendohem më parë-tha francezi dhe në 15:45 të së enjtes u zyrtarizua dhe largimi i Ancelottit
sfidanti.al