Mavraj nuk e fal ish-trajnerin tek Hamburgu: Si njeri, një katastrofë!

Gjysmën e dytë të sezonit të kaluar provoi momentet më të vështira në karrierë. Mërgim Mavraj u zbua nga ekipi i parë i Hamburgut, dhe u zbrit tek skuadra U21, me largimin përfundimisht gjatë verës. Mbrojtësi i qendrës i kombëtares shqiptare theu më në fund heshtjen, në një intervistë për gazetën “Bild”, duke drejtuar gishtin vetëm tek një njeri, ish-trajneri i tij, Kristian Tic (Titz).

“Si njeri ky trajner është një katastrofë, – shprehet shqiptari i Kosovës, – unë nuk i vë faj askujt tjetër për atë që kalova tek Hamburgu, për fat shumë lojtarë kanë mundur të largohen pa u dëmtuar shumë”.

Mavraj u mor nga Hamburgu, që nga Këlni, ku kishte qenë lojtar kryesor. Nën drejtimin e trajnerit Gisdol, shqiptari ishte sërish një nga futbollistët bazë të formacionit, por me ardhjen e Ticit gjithçka ndryshoi. Sot, Mavraj është në Greqi me Arisin e Selanikut, përvoja e parë në karrierë jashtë Gjermanisë, ndërsa shpreson të jetë sërish i dobishëm për klubin dhe kombëtaren e Shqipërisë.

Sfidanti.al