Enis Bardhi, futbollist shqiptar Maqedonie, ka ditë që gjendet në faqet e para të gazetave sportive spanjolle, mbas golit fantastik që ai shënoi nga gjuajtja e lirë në ndeshjen që Levante fitoi bindshëm 3-0 ndaj Real Sosiedadit. Ky ishte goli i tretë i Bardhit në Primera, i dyti nga gjuajtja e lirë. Një nga gazetat me tirazhin me të madh në Spanjë, “Marka”, ditët e fundit, nuk gjente fjalë që ta lavdëronte këtë lojtar 22-vjeçar që i ka kushtuar Levantes vetëm 1,5 milionë euro, duke vënë në dukje se, sa u përket gjuajtjeve nga pozicionet fiks, Enis Bardhi mund të krahasohet edhe me Kristiano Ronaldon dhe me të drejtë. Bardhi, gjatë dy muajve të kaluar në Spanjë, duke pasur parasysh edhe ndeshjet përgatitore, ka shënuar dy herë më shumë gola nga gjuajtjet e lira sesa ka shënuar vetë Ronaldo i madh gjatë të gjithë sezonit të kaluar!
Gazetari Sajmano Harison që shkruan për futbollin spanjoll në WhoScored”, vë në dukje se blerja e Enis Bardhit nga Levante për vetëm 1,5 ose 2 milionë euro, është marrëveshja më e mirë gjatë sezonit veror të kaluar të transferimeve.
Dhe ta mendosh, se këtë futbollist të talentuar të ri shqiptar e neglizhuan, shkurt, e refuzuan në Shqipëri, para pak vitesh, kur ai erdhi në vendin tonë që të luante me përfaqësuesen shqiptare të të rinjve?!.