“Marka”: Ja përse Reali fiton më shumë Champions sesa La Liga!

Kuptohet, kjo është diçka relative, sepse si numër total, madrilenët kanë më shumë kampionate. Gjithsesi, duke llogaritur rivalitetin e jashtëzakonshëm të Championsit, shumëkush habitet sesi Reali fiton aq shumë në Europë, ndërsa shpesh gabon në Spanjë. Këtë e theksoi e përditshmja “Marka” pas humbjes 2-3 të “merengesve” në fushën e Rajo Vajekanos. Ishte një derbi i vogël i kryeqytetit, por dëmi që u bë ishte i madh.

Disfata e la Realin 2 pikë prapa Barcelonës në kampionat, dhe “Marka” shkruan “adios kryesimit”. Mbrojtësi i kombëtares, Ivan Balliu, ishte si përherë titullar dhe luajti 90 minuta duke qenë pak a shumë në nivelin e shokëve të tjerë, nga të cilët u dalluan më shumë Fran Garsia dhe Alvaro Garsia, ndërsa tek Madridi shumica ishin dobët me përjashtim të Kurtuasë dhe Asensios. Tani, Barcelona kryeson La Ligën me 34 pikë ndaj 32 të ekipit të Karlo Ançelotit duke pasur edhe golaverazh më të mirë.

Sfidanti.al