Ksavi: Man. Junajtidi, shorti më i keq që mund të kishim menduar!

Nuk mjaftoi fakti që u eliminuan nga Championsi dhe që ishin në një grup të tmerrshëm siç ishte ai bashkë me Bajernin dhe Interin. Barcelona vazhdon të ketë fat të keq këtë sezon në kontinent, pasi Liga e Europës “e priti” gjigandin katalanas duke e vënë përballë një tjetër gjigandi, Mançester Junajtidit. “Ky ishte shorti më i keq që mund të kishim menduar, – tha trajneri Ksavi, – fati nuk ishte me ne. Ishte shorti më i vështirë, ashtu si Championsi. Man. Junajtidi është një klub i madh, një rival me histori. Do të duhet të përgatitemi shumë seriozisht”.

Barcelona është ndeshur disa herë me Mançester Junajtidin, si në 1984 në Kupën e Kupave (eliminuar), në finalen e Kupës së Kupave në 1991 (humbje), në 1994 në grupet e Championsit (2-2, 4-0), në 1998 në fazën e grupeve (3-3, 3-3), në 2008 në Champions (eliminuar), në 2009 e 2011 në finalet e Championsit (fituar të dyja) dhe në 2019 sërish në Champions, që përfundoi me kualifikimin e Barcelonës.

Sfidanti.al