Manxhukiç tregon se përse i pëlqen skema e re e Alegrit!

Masimiliano Alegri po luan me një formacion shumë sulmues dhe me cilësi të lartë dhe Juventusi po vazhdon të jetë pretendent kudo. Një nga lojtarët që është “prekur” më shumë nga skema e re e trajnerit juventin është Mario Manxhukiç, i cili nuk po luan dot në rolin e tij të preferuar të qendërsulmuesit. Në atë pozicion, për momentin është i prenotuar Gonzalo Higuain. Gjithsesi, kroati jo vetëm që nuk ka asnjë pakënaqësi, por edhe e vlerëson shumë trajnerin e tij.

“Unë jam këtu sepse më kërkoi Alegri, – u shpreh ai në një intervistë për mediat italiane, – trajneri më respekton shumë dhe më deshi me ngulm, vlerësimi mes nesh është reciprok”. “La Gazeta delo Sport” thekson se Mario është simboli i shpirtit të sakrificës që ka ky Juventus. Ish-sulmuesi i Bajernit dhe Atletikos, ka pranuar të luajë në të majtë që Alegri të krijojë skemën e tij të preferuar, ashtu siç ndodhi ndaj Lacios (2-0) dhe Milanit në Kupë (2-1).

“Kjo taktikë e re më pëlqen, – shprehet Manxhukiçi,- besoj se është e dobishme për ne, ka shumë lojtarë që sulmojnë, por nëse secili bën detyrën e tij, mund ta kontrollojmë më mirë ndeshjen. Mendoj se është një sistem i mirë për të shfrytëzuar cilësitë që kemi në sulm, mjafton që kur të vijë puna për të mbrojtur, ta bëjmë të gjithë”. Me këtë skemë, në fushë janë njëkohësisht Higuain, Manxhukiç, Dibala, Pjaniç e Kuadrado dhe kroati thotë se ai është gati të sakrifikohet mjaft që të përfitojë skuadra.

Sfidanti.al