Na ishin dikur gjermanët kursimtarë, lexoni çmenduritë e Bundesligës!

Një barcaletë gjermane thotë se skocezët janë banorë të krahinës së Shvabisë (me kryeqendër Shtutgartin), të përzënë si dorëlëshuar. Nëse thekson se skocezët mbahen për kurnacë të vërtetë, atëherë kuptohet sesi janë shvabët. Pak a shumë si shvabët janë të gjithë gjermanët, veçse këta të sotmit po i luajnë mendsh baballarët e tyre. Sistemi i FIFA-s për Transferimet (TMS) tregon se klubet e Bundesligës “kanë dalldisur” fare, duke mos ua vënë veshin shpenzimeve.

Shifra e harxhuar në 2016 për të blerë lojtarë arrinte në 537 milionë euro, që do të thotë dyfishi i asaj që u shpenzua vjet. Çfarë të ketë ndodhur? Duhet analizë për këtë, por fakti mbetet që nga xhepat u nxorrën 55.9 për qind më shumë para. Bundesliga është kampionati i dytë në Europë me më shumë harxhe, duke u lënë pas vetëm nga Anglia. Premier Liga është në një “kozmos tjetër” (siç shkruan “Bildi”), pasi shpenzimet e saj janë 1.28 miliardë euro, edhe pse me rritje vetëm 8.7 për qind. Nga Anglia erdhi ndihmë për Bundesligën, pasi u investuan 222 milionë euro.

Sfidanti.al