Do të kishte dalë në vendin e tretë me një fitore, por Mançester Junajtid nuk i ka marrëdhëniet aq të mira me suksesin këtë sezon. Edhe pse luajti në “Old Traford” ndaj një ekipi pranë rënies nga kategoria si Suonsi, sërish formacioni i Zhoze Murinjos bëri “harakiri” duke dalë barazim 1-1. Kjo, do të thotë se mbeti në kuotën e 64 pikëve, pas 33 ndeshjeve, ndaj 66 të Liverpulit që ka luajtur 34. Me Sitin dhe Arsenalin ende me shpresa, gara për Championsin është shumë e fortë këtë vit në Premier Ligë.
Junajtid ndjeu mungesën e dy lojtarëve kryesorë, Zllatan Ibrahimoviç dhe Pol Pogba, dhe i besoi treshes sulmuese Runi-Marsial-Rashford. Ishte Runi që shënoi me një penallti të diskutueshme në fund të pjesës së parë, por miqtë nga Uellsi barazuan 11 minuta para fundit kur Gulfi Sigurdson ekzekutoi shkëlqyeshëm një goditje dënimi. Suonsi mbetet në vendin e tretë nga fundi, por ky barazim mund ta ndihmojë jo pak edhe në anën psikologjike.
Junajtid, ndërkaq, ka ende shpresa për t’u kualifikuar në Champions nga kampionati, por Murinjo ka bërë llogaritë edhe me një kualifikim të mundshëm nga Liga e Europës. Skuadra e tij është në gjysmëfinale ku do të ndeshet me Seltën, dhe nëse e fiton kompeticionin, kualifikohet direkt për në Ligën e Kampionëve.
Sfidanti.al