Lacio më e fortë se Roma dhe se padrejtësitë, fiton sërish derbin!

Gjysma e dytë e sezonit e ka emrin Lacio në kryeqytetin e Italisë. Skuadra e Thoma Strakoshës triumfoi sërish në derbi, këtë herë në Serinë A, duke vazhduar aty ku e la në gjysmëfinalen e Kupës. Rezultati 3-1 erdhi pavarësisht padrejtësisë që iu bë ekipit të trajnerit Inzagi, duke iu dhënë një penallti e paqenë Romës, vendim i gjyqtarit që solli edhe barazimin momental.

Keita shënoi golin e parë për “miqtë” që në minutën e 12-të, De Rosi barazoi pas penalltisë së “vjedhur” nga Strotman në fund të pjesës së parë, por Roma e Spaletit nuk po mundet t’ia dalë ndaj “kushërinjve”. Dushan Basta dhe sërish Keita shënuan pas pushimit për suksesin e rëndësishëm. Roma tashmë i ka humbur përfundimisht shpresat për t’ia marrë titullin Juventusit, ndërsa mund të rrezikohet nga Napoli për vendin e dytë, pozicion që të çon direkt në Ligën e Kampionëve.

Nga ana tjetër, , Lacio jo vetëm është shumë më e sigurt për kualifikimin për në Ligën e Europës sezonin e ardhshë, por e ka një mendim sado të vogël për Championsin. Napoli, për momentin është 4 pikë larg. Me 67 pikë në renditje, duke lënë “në bisht” Milanin dhe Interin (shumë më të fuqishme financiarisht), Lacio mund ta quajë sezonin shumë pozitiv. Meritë e skuadrës, e trajnerit, kuptohet edhe e drejtorit sportiv, Igli Tare.

Renditja: Juventus 84, Roma 75, Napoli 71 (-1), Lacio 67, Atalanta 64, Milan 58, Inter 56.

Sfidanti.al