Në të vërtetë, gabimi ishte vetëm një dhe i bërë në minutën e 92-të, veçse ishte një moment që vendosi. Milani sapo shënoi me Mesiasin, por për fatin e keq të tij dhe të kuqezinjve arbitri Serra dha një vendim që shkatërroi gjithçka. Ai vërshëlleu për një faull ndaj Rebiçit përpara sesa të shënohej goli, ndërsa duhej të kishte lënë vazhdimin. Protestat e milanistëve ishin të fuqishme, por kuptohet pa vlerë, ndërsa kërkesa e faljes nga ana e gjyqtarit nuk bëri “fajde”. “Gabim i denjë për kategorinë e tretë”, protestuan tifozët në rrjetet sociale. Katër minuta më vonë, në minutën e 6-të e të parafundit shtesë Specia shënoi golin e fitores 2-1 në një kundërsulm të krijuar nga Agudelo e Kovalenko dhe të përfunduar nga Giasi.
Goditje fatale për Milanin që priste të parakalonte Interin, por që mbeti 2 pikë prapa “kushërinjve” në Serinë A, duke pasur edhe një ndeshje më shumë të luajtur. Për Specian ishte titullar sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rej Manaj, që luajti 58’. Vendasit kaluan në epërsi në 45’ me Rafael Leaon, pasi Teo Hernandezi humbi penalltinë, ndërsa Agudelo barazoi në 64’, 6 minuta pasi zëvendësoi Manajn. Interi kryeson kampionatin me 50 pikë në 21 ndeshje, ndërsa Milani ka 48 në 22, me Napolin që u afrua në 46 pikë pas fitores 2-0 në fushën e Bolonjës falë dy golave të Hirving Lozanos. Amir Rrahmani i Kosovës ishte si gjithnjë titullar për napolitanët në qendër të mbrojtjes.
Sfidanti.al