“Arbitrat nuk na kanë lënë të luajmë futboll”, tha veterani i Lushnjës, Fation Sefa. (Ish) Trajneri Artan Bano e kishte thënë disa herë këtë fjali, por askujt nuk i bëhej vonë. Fati i Lushnjës, fati i të voglit, është fati i zakonshëm i të dobëtit në Superligën e Shqipërisë, edhe pse kjo ndodh jo rrallë edhe jashtë.
Gjithsesi, në asnjë nga vendet e zhvilluara të Europës apo Amerikës së Veriut, mentaliteti i “beut” dhe “argatit” nuk është kaq i madh sa këtu. Në futbollin shqiptar është e pamundur të arrish një mrekulli qoftë si ajo që bëri Kievo në Itali vite më parë, apo Deportivo në Spanjë, pa llogaritur Leisterin në Angli apo sa e sa të papritura të mëdha në Gjermani.
Nuk mundesh as të marrësh lojtarët që do, as që gjyqtari të arbitrojë siç duhet, as që kundërshtarët të luajnë ndershëm (e provoi Flamurtari në 2010-2011 ndaj Skënderbeut kur humbi titullin). Edhe sikur në stol të kesh Murinjon apo Guardiolën, dhe në fushë Mesin apo Ronaldon. Sadiku mund të pretendojë Këpucë të Artë në Zvicër apo Poloni, po ashtu ndonjë tjetër, ndërsa në Shqipëri Këpuca e Artë mund të vendoset nga një varg i gjatë ndeshjesh të “premtuara me besë”, apo të ndonjë sfide me shifrat 7-5 në javën e fundit.
Natyrisht nuk është vetëm futbolli që e vuan, por loja e topit e ndjen më shumë për shkak të varfërisë së saj, dhe të nivelit të ulët që kanë zakonisht ata që merren me të, dhe ata që e komandojnë. Edhe po të shkosh në ndonjë ministri apo bashki, ti mund të kesh projektin më të mirë, por nuk do të marrësh asnjë kacidhe. i nënshkruari e provoi me Federatën Shqiptare të Kikboksit, të drejtuar nga gjigandi Xhavit Bajrami (8 herë kampion i botës). Në aq vite sa ekzistoi dhe pati edhe medalje botërore, Federata nuk mori asnjë lek nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Nuk harroj një radhë tipike shqiptare, në një derë spitali. Më keq sesa në radhat e dikurshme për ullinj apo gjizë, pasi varg ishin njerëz të sëmurë dhe pa asnjë stol për t’u ulur. Një infermiere hynte e dilte duke futur pa radhë njerëz të njohur dhe në bazë të parave. Askush nuk bëzante. Në fund, nuk m’u durua dhe i preva rrugën.
“Nuk do kalosh, – i thashë, – nuk mund ta bësh përpara këtyre të sëmurëve, pleq e fëmijë, që presin”. Pati përleshje të vërtetë me infermieren e pacipë, ndërsa askush nga njerëzit në radhë nuk lëvizi. “Juve nuk lëvizët, – iu bërtita atyre, – sepse po të ishit në vendin e asaj infermieres, do të silleshit edhe ju si ajo”. E pra, Skënderbeu dikur ishte viktimë e “infermieres”, sot është “favorit”, Partizani, Tirana, Dinamo dikur bënin ligjin, ndërsa herë të tjera nuk shiheshin me sy. Kështu, këtë sezon i takoi Lushnjes të ishte “viktima” e Superligës.
Sfidanti.al