Luiza Gega sot në garën e jetës, kampionia synon triumf në Botëror në 04:45 të mëngjesit!

E ndajnë vetëm disa orë nga sfida e jetës. Luiza Gega merr pjesë sot duke u gdhirë mëngjesi në Shqipëri në finalen e saj të dytë në karrierë në një Botëror të atletikës, njëkohësisht finalja e dytë në historinë e këtij sporti në vendin tonë. Kampionia e Mesdheut do të jetë në pistë në stadiumin e Universitetit të Oregonit në Juxhin të SHBA-së në orën 04:45 të mëngjesit, dhe objektivi është serioz. Pas paraqitjes shumë të mirë në gjysmëfinale në 3 000 metra me pengesa, Gega mund të pretendojë pa frikë për vendin e 6-të me rezultatin e arritur, 9’14’91. Ajo është vetëm 62 të qindat larg rekordit kombëtar që e mban po vetë dhe që e vendosi në Lojrat Mesdhetare.

Në prag të sfidës, 33-vjeçarja bëri thirrje publike për mbështetje si dhe falenderoi tifozët. “Në finale, hera ime e dytë dhe jam kaq e lumtur që ia dola, – shkruajti ajo në FB, – mezi po pres të garoj me vajzat më të shpejta. Më uroni fat! Faleminderit të gjithëve!” Trajneri Stërmasi thotë se nuk është realiste të pretendohet për medalje, ndonëse një garë e tillë kurrë nuk mund të parashikohet. Gega ndihet tepër e freskët përpara finales, dhe analizat treguan se niveli i lodhjes ishte shumë i ulët, më i ulët se normalisht.  Objektivi për Gegën është të dalë më mirë se vendi i gjashtë, pra e pesta apo e katërta dhe të vendosë rekordin e ri kombëtar.

Sfidanti.al