Atletika shqiptare arriti sot rezultatin e saj më të mirë në histori, ndërsa një sportiste e jona u përfshi në 5 vendet e para të botës, duke thyer ndjeshëm rekordin kombëtar. Luiza Gega doli e pesta në garën e 3 000 metrave me pengesa për femra, duke përmirësuar me një vend renditjen e saj që nga gjysmëfinalet e duke dhënë rezultatin 9’10”04. Koha e mëparshme është ulur me më shumë se 4 sekonda! Gega ishte për herë të dytë radhazi në një finale botërori, duke qenë e vetmja atlete shqiptare që ia ka dalë. Në pistën e Universitetit të Oregonit në Juxhin (Eugene), në SHBA, kampione e botës doli Norah Xheruto që garon për flamurin e Kazakistanit (keniane me origjinë), me kohën 8’53”02, që është rekord i kampionatit. Pas saj, dy etiopianet Verkuha Getaçev dhe Mekides Abebe. Gega tashmë synon medaljen e artë në Kampionatin Europian të atletikës në gusht.
Sfidanti.al