Një trajner holandez në Gjermani nuk është ndonjë çudi, edhe pse suksesi nuk ka qenë gjithnjë i garantuar. Sidomos, kur trajneri e kishte emrin Luis Van Gal dhe klubi që e mori në unë quhej Bajerni i Mynihut. Vetë tekniku i tërhequr nga karriera kujton vitet 2009-2011, kur ishte në stolin e bavarezëve, dhe indirekt risjell në mendje epitetin që i ishte vënë klubit të Mynihut, “FC Hollivud”.
“Problemi më i madh me Bajernin ishte se aty kishte shumë ish-lojtarë, që punonin në strukturat e klubit, – u shpreh Van Gali në një intervistë për revistën “11 miq”, – secili donte që të kishte ndikim në atë që ndodhte. Sidomos raporti me Uli Hënesin ishte shumë i vështirë, dhe kjo e kuptueshme sepse dy gjela vështirë të rrinë në një kafaz”.
Van Gali fitoi titullin dhe Kupën e Gjermanisë në 2010, ndërsa në 2011 u largua para kohe, duke marrë mbi vete “damkën” e “diktatorit”. “Ndoshta unë isha pak si shumë komandues, – pranon holandezi, – por, që të arrish suksesin duhet të ndjekësh një filozofi të caktuar dhe të përbashkët”. Më tej, trajneri 67-vjeçar veçoi Frank Riberinë dhe Luka Tonin, si lojtarët më problematikë që pati.
“Ata nuk donin ta ndiqnin filozofinë time, – sqaron ai, – mendonin se statusi që kishin, u jepte të drejta më të mëdha se të tjerëve, por unë këtë nuk e pranoja. Edhe Frenk Rajkardi apo Luis Figo kishin status të veçantë, por kurrë nuk kërkuan privilegje mbi të tjerët”. Van Gali fitoi Kupën UEFA, Championsin dhe Botërorin e klubeve me Ajaksin, fitoi dy tituj në Spanjë me Barcelonën, si dhe udhëhoqi Holandën në vendin e tretë, në Botërorin e vitit 2014.
Sfidanti.al