I ishin mbushur sytë me lot në përfundim të një sezoni tepër rraskapitës, tepër të vështirë, për të cilin deklaroi se nuk ishte përgatitur për të vuajtur aq shumë. Gjithsesi, pas dimrit vjen pranvera dhe për Luis Suarezin e Atletikon e Madridit kjo ndodhi në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitoren e titullit kampion. Nuk ishte ky titulli i parë për sulmuesin uruguajan, por ishte padyshim më i shtrenjti, sepse u arrit me një ekip më pak gjigand sesa Barcelona, dhe përkundër zhgënjimit që pati verën e kaluar kur e larguan “pa ceremoni” nga “Kamp Nou”.
“Ishte shumë e vështirë situata të cilën u desh të jetoja pasi më flakën tej, ndërsa Atletiko më hapi dyert, – tha Suarezi pas fitores, – Shumë njerëz vuajtën me mua, gruaja ime, fëmijët e mi, nga dita në ditë. Kam shumë vjet në futboll, por këtë vit vuajtja ishte më e madhe. Atletiko bëri një sezon shumë të madh, pavarësisht vështirësive që patëm. Ishim më të rregulltit ndaj edhe jemi kampionë. Mesi duhet të jetë padyshim i lumtur sepse ne jemi shokë”.
Ky ishte titulli i pestë kampion në karrierë për uruguajanin 33-vjeçar, që ka fituar edhe Championsin, 4 herë Kupën e Mbretit, Superkupën e Europës, Kupën e Botës për klubet, dy herë Superkupën e Spanjës, si dhe titullin në Uruguaj me Nasionalin, titullin në Holandë me Ajaksin, Kupën e Holandës me Ajaksin dhe Kupën e Ligës me Liverpulin, përveçse Kupën e Amerikës me Uruguajin. Ai ka shënuar 501 gola në karrierë, nga të cilët 63 për Uruguajin.
Sfidanti.al