Një barazim në shtëpi, qoftë edhe duke mos luajtur mirë, nuk është fundi i botës. Nuk mund të jetë as për Barcelonën, që me trajnerin Luis Enrike ka fituar thuajse gjithçka që ka dashur dy sezonet e kaluara. Alarmi krijohet nëse shkaqet për një ndalesë të tillë janë të rënda. Duket se ky është edhe rasti i Barçës.
Skuadra katalanase po tregon shenja të një apatie të vërtetë, dhe më keq, të një ekuipazhi ku jo të gjithë u japin lopatave në të njëjtin drejtim. Trajneri Luis Enrike, dhe superyjet Lionel Mesi e Nejmar duket se janë shkaktarët.
Trajneri është shumë enigmatik me mënyrën sesi i krijon marrëdhëniet me klubin. Ai kishte një mendje që të largohej menjëherë pas sezonit të parë, që ishte fantastik. Katalanasit fituan gjithçka, Championsin, Lilgën, Kupën e Mbretit, por tifozët papritur lexuan se trajneri mund të ikte. Edhe tani po ndodh e njëjta gjë, dhe klubi duket se ka gjetur edhe një pasardhës.
Lionel Mesi është çështja më e madhe, pasi lajmet janë për synimet e fuqishme të Pep Guardiolës për ta marrë tek Siti, kundrejt edhe shifrave monstruoze. Së fundi Nejmar, që ka thyer jo pak zemra kur u zbuluan prapaskenat e bisedimeve të tij me Paris SG.
Një skuadër me probleme të tilla e ka të vështirë të jetë e suksesshme, dhe Barcelona nuk i shpëton këtij rregulli pavarësisht klasit të madh. Mbetet të shihet nëse kampionët e Spanjës do të arrijnë të krijojnë harmoninë e duhur. Për fat, janë ende në kohë.