Amerika është ndoshta vendi i vetëm ku mund të ndodhë. Një yll i madh sporti, në çdo ligë të botës do ta kishte të garantuar një skuadër të madhe, ose do të largohej, ndërsa në NBA, jo gjithmonë. Shembulli më i qartë është Rasëll Uestbruk. Edhe pse thuajse nuk ka rivalë, kjo nuk përkthehet në fitore.
Nuk mjaftoi që për herë të pestë pati arritje me dy shifra në tre elementet kryesorë të lojës, pasi Oklahoma u mund madje në fushën e saj nga Indiana, 111-115. Uestbruk shënoi 31 pikë, kapi 11 topa në tabela, krijoi 15 kosha për shokët, ndërsa në planin personal është pranë një rekordi. Tashmë ai ka realizuar 41 tripëll dabëll, duke qenë vetëm 1 larg të parit në këtë renditje, Lebron Xhejmsit.
Xhimi Batler ishte me më shumë fat. Yllit të Çikagos nuk i shkoi kot mundimi, pasi Bullsat fituan në Los Anxhelos ndaj Lejkërsave. Jo pak, por 40 pikë nga numri 21 bënë që faktori fushë kundërshtare të mos ndihej në suksesin 118-110 dhe Çikago u ngjit në renditje. Batler nuk u ndal vetëm me pikët, por kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë, ndërsa shkëlqeu edhe malazezi i natyralizuar në spanjoll, Mirotiç.
Një tjetër basketbollist me fat ishte edhe mjeshtri Karmelo Entëni. i mbiquajturi “Melo”, shkëlqeu në “Medison Skuer Garden” të Nju Jorkut dhe shënoi 31 pikë. Vendasit arritën fitoren e katërt radhazi, këtë herë ndaj Atlantës 104-94, ndërsa Entëni u ndihmua shumë nga letonezi Porzingis që shënoi 19 pikë e kapi 15 topa në tabela.