“Luftë civile” tek Junajtid, nga Murinjo tek Pogba-Sançez

Nuk ishte edhe aq e ëmbël fitorja e Mançester Junajtidit ndaj Leisterit në “Old Traford”, në ndeshjen e parë të Premier Ligës. Pavarësisht suksesit 2-1 në “Old Traford”, dhe marrjes së tri pikëve, atmosfera nuk qe aspak “rozë”. Zhoze Murinjo e vazhdoi konfliktin e tij me drejtuesin e lartë, Uduord, duke mos ia harruar mungesën e blerjeve. Trajneri donte të paktën një mbrojtës të nivelit të lartë (Megajer, Alderveireld, Mina), por asgjë nuk ndodhi.

“Jemi në një situatë që unë nuk e mendoja se mund të ndodhte, – u shpreh Murinjo, – futbolli ka ndryshuar, tani nuk duhet të më quani menaxher, por thjesht trajner. Nuk ka qenë kështu më parë, dhe duhet të presim nëntorin apo dhjetorin për të mësuar nëse mund të luftojmë për titull”. Uduord ishte shprehur më parë se strategjia e blerjeve të Junajtidit duhet të ndryshonte për t’u bërë më shumë si Siti.

“Lufta civile” tek Junajtidi u bë e plotë me konfliktin Pogba-Sançez për penalltinë. Francezi, që këtë herë ishte kapiten, mori topin për të gjuajtur, ndërsa kileni protestoi dhe desh u zunë me duar. Në fund gjuajti Pogba dhe shënoi, por nuk dihet sesa përçarje mund të ketë krijuar kjo ngjarje.

Sfidanti.al