Do ta donte shumë të triumfonte, dhe që kupa të vendosej nga një gol i tij. Marash Kumbulla e ka një ëndërr, që si futbollist shqiptar të fitojë Ligën e Konferencës në finalen që do të luhet në “Arenën Air Albania” të Tiranës. Skuadra e tij Roma, është në çerekfinale dhe shorti e vendosi përballë Bodo Glimtit. Për shkak se finalja luhet në kryeqytetin e Shqipërisë, UEFA kishte ftuar në shortin e Nionit në Zvicër ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili tërhoqi goglat. Italianët, që e patën të vështirë të kalonin holandezët e Viteshes në raundin e kaluar, pësuan një turpërim të vërtetë në përballjen me Bodo Glimtit në Norvegji, në fazën e grupeve. Një shpartallim me shifrat 1-6, me Kumbullën në fushë dhe fajtor për një apo dy gola, e që mori një kritikë të rreptë nga trajneri Zhoze Murinjo. Sot kohët kanë ndryshuar dhe italianët kanë shpresë të jenë në finalen e Tiranës në 25 maj.
Shorti i çerekfinaleve vendosi përballë edhe Fejënordin holandez me Sllavian e Pragës nga Çekia, Olimpikun e Marsejës me grekët e PAOK-ut të Selanikut, dhe anglezët e Leisterit me holandezët e tjerë, ata të PSV Ajndhovenit. Në gjysmëfinale, Roma mund të ndeshet me Fejënordin ose Sllavian, ndërsa kalon norvegjezët. Ndeshjet çerekfinale luhen në 7 e 14 prill, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale janë në 28 prill e 5 maj.
Sfidanti.al