Si mund të ndihet një trajner kur shkarkohet nga detyra një ditë para fillimit të Kupës së Botës, me skuadrën e tij favorite për titullin? Kështu i ndodhi Hulen Lopetegit, pasi Federata Spanjolle reagoi furishëm ndërsa Reali njoftoi akordin me teknikun. Si mund të ndihet i njëjti trajner kur, katër muaj pas kësaj “mynxyre”, shkarkohet edhe nga Reali i Madridit? U desh të kalonte një vit që ky profesionist të merrte veten, dhe të “rridhte” edhe një vit tjetër që të merrte revanshin, ndoshta së pari ndaj vetvetes.
Nën drejtimin e Lopetegit Sevilja fitoi Ligën e Europës, dhe arriti kualifikimin për në Champions për sezonin e ardhshëm. Një arritje e madhe duke mundur gjatë rrugës Romën, Mançester Junajtidin dhe Interin në finale. “Lojtarët e mi janë të mëdhenj, – tha trajneri, – ata kanë dhënë gjithnjë maksimumin, dhe unë jam krenar. Fitoren ia dedikojmë tifozëve të Seviljes, njerëzve të Seviljes që humbën jetën nga virusi, dhe të tillëve si Rejesit e Puertës që nuk janë më”.
Sfidanti.al