Natyrisht, në Angli debatet përfundojnë deri të dielën në darkë, por për momentin ato ekzistojnë. Totenhem-Liverpul përfundoi 2-2 në një ndeshje tepër emocionuese, një spektakël i vërtetë i Premier Ligës, ndërsa rezultati kënaq më shumë Mançester Sitin që është 3 pikë përpara të kuqve të Jurgen Klopit në krye të renditjes. Dy skuadrat të goditura nga Kovidi gjithsesi luajtën mirë dhe shpejt duke kërkuar fitoren, ndërsa Andi Robertson u bë i pari lojtar në Premier që nga Aleksandar Mitroviç në 2016, që në një ndeshje të vetme shënon gol, shërben asist goli dhe përjashtohet me karton të kuq. Polemikat do të jenë sepse në pjesën e parë gjyqtari nuk i dha karton të kuq Harri Kejnit për një veprim të ngjashëm. Pikërisht Kejn kaloi Totenhemin në avantazh në 13’, Diogo Zhota barazoi në 35’, pas pushimit Robertson shënoi për 1-2 në 69’, por Son barazoi pas një gabimi të portierit Alison në 74’. Në 77’, Robertsoni mori të kuqin dhe u përjashtua. Siti kryeson me 44 pikë ndaj 41 të Liverpulit dhe 38 të Çelsit.
Sfidanti.al