Napoli mund Milanin në “San Siro”, shpall Interin kampion dimri

“Luajtëm dhe fituam si një skuadër e madhe ndaj një skuadre të madhe”. Ky ishte verdikti i trajnerit të Napolit, Luçiano Spaleti, pas suksesit 1-0 ndaj Milanit në “San Siro”, sukses që realizon kthesën për ekipin e tij që kishte pësuar dy humbje radhazi. Goli i Elif Elmazit që në fillim, shoqëruar me golin e anuluar në fund për Kesin, bënë që napolitanët të barazoheshin me pikë me kuqezinjtë, nga 39, duke zbritur Atalantën në vendin e 4-ët, por edhe duke shpallur Interin kampion të dimrit. Skuadra e trajnerit Inzagi ka 4 pikë më shumë në renditje kur mbetet edhe një ndeshje për këtë vit.

Napoli del nga kriza, ndërsa Milani zhytet edhe më shumë pasi në pak ditë është eleminuar nga Europa, ka barazuar në Udine dhe tani pësoi humbjen e parë ndaj një rivali “të madh”. Gjithsesi, përtej asaj që ndodhi në fushë, milanistët protestuan ashpër për golin e anuluar ndaj Kesit, për pozicion jashtë loje të Zhirusë që ishte i shtrirë përtokë. Trajneri vendas, Pioli, e theksoi mirë këtë kur tha se “në golin e Kesit, Zhiruja nuk e shqetësonte kundërshtarin”. Gjithsesi, më i lumtur doli Spaleti. “Më pëlqeu shumë fakti që e përballuam sfidën pa u mbyllur në mbrojtje, – tha trajneri i Napolit, – përveçse në fund kur Milani ndikoi me pranonë fizike të Ibrahimoviçit dhe Zhirusë. Huan Zhezus dhe Rrahmani luajtën shumë mirë”. Interi kryeson me 43 pikë, ndaj 39 të Napolit e Milanit.

Sfidanti.al