Mos vallë u shua edhe shpresa e fundit për të kuqtë që t’ia dilnin në Premier Ligë? Përfundoi 1-1 sfida Liverpul-Totenhem në “Anfild” duke bërë që skuadra e trajnerit Jurgen Klop të mos e bënte parakalimin ndaj Mançester Sitit, qoftë edhe përkohësisht. Son kaloi miqtë në avantazh në 56’ dhe Luis Diaz barazoi në 74’. Liverpuli pati epërsi dhe ishte normale, por nuk e pati freskinë e duhur. Jo më kot iu desh një betejë e madhe në Spanjë ndaj Vijarrealit për t’u kualifikuar për në finalen e Championsit. Ndoshta, të katër trofetë nuk fiton dot, nuk përballohen fizikisht dhe psiqikisht, dhe Premier Liga mund të jetë sërish për “specialistët” e kampionateve, ata të Mançester Sitit. Për më tepër, Klopi nuk ka mundësitë e Guardiolës dhe titullarë ishin si gjithnjë Salah e Mane, Aleksandër-Arnold, Van Dajk, Robertson, Fabinjo apo Tiago Alkantara.
Të kuqtë mbajtën topin 65 për qind dhe gjuajtjën pa fund drejt portës së Jorisit, 22 ndaj 8 të Spërsave, por dihet se skuadrat e Kontes janë si ato të Murinjos, shkëlqejnë duke u mbrojtur. Kjo duket qartë kur sheh se gjuajtjet në kuadrat të dyja skuadrat i patën baraz, 3-3, ndonëse Liverpuli gjuajti dyfishin e korneve (10-5). Skuadra e Klopit ka 83 pikë duke qenë në vend të parë ndaj Sitit që ka gjithashtu 83, por do ta luajë këtë të diel ndeshjen ndaj Njukasëllit në “Etihad”. Shpresa mbetet vetëm që Siti të ketë probleme në sfida tepër të vështira në fushën e Uolvesit dhe të Uest Hemit.
Sfidanti.al