Tashmë u bënë 26! Kaq janë kampionatet e fituara nga Tirana që prej nisjes së futbollit të organizuar në Shqipëri në vitin 1930. Askush si bardheblutë, dhe nuk kishte mënyrë më të bukur për lojtarët e tifozët sesa ta siguronin titullin në derbin ndaj Partizanit. Një ndeshje e vështirë dhe e ashpër në “Elbasan Arenë” përfundoi 2-1 për ekipin e trajnerit Orges Shehi, që ndoshat nuk e meritoi këtë fitore, por titullin kampion e stërmeritoi plotësisht. Ishte padyshim sezoni i Tiranës.
Derbi ishte i bukur edhe pse me gabime, me ritëm të lartë dhe momente të rrezikshme në të dyja portat. Partizani shënoi ndoshta golin më të bukur të sezonit me roveshatën e Skukës, që ishte zbulimi i fazës së dytë të edicionit. Tirana barazoi me lojtarin më të mirë ofensiv, ndërsa përballoi edhe disa mungesa në formacion, mes të cilëve Xhixha, De Silva e Toshevski, ndërsa iu dëmtua edhe Najdovski. Pas pushimit, Tirana shënoi edhe golin e dytë pas një gabimi të rëndë të Markut. Më pas, pati penallti të dhënë nga gjyqtari Hamiti për Partizanin, pas depërtimit shumë të bukur në zonë të Skukës, por pas konsultimit me VAR-in, 11-metërshi u anulua. Seferi pati dy mundësi për bardheblutë, ndërsa Bitri, Skuka, Mala e Kallaku ishin të rrezikshëm për të kuqtë.
Tirana: Bekaj, Toshevski, Ismajlgeci, Përgjoni, Behiraçe, Hoxhallari, Totre, Toli, Limaj, Hoti, Seferi. (Në stol: Lika, Muça, Kuka, Gjumsi, Qefalia, Nuriu, Beshiraj, Nikqi, Zhivanaj).
Sfidanti.al