Lukaku shënoi vërtet, por Çelsi vazhdon ta rrezikojë vendin në Champions!

Pronari i ardhshëm i klubit, Tod Boehli, ishte në “Stemford Brixh” dhe pati kënaqësi që të shikonte sesi u zhbllokua sulmuesi që cilësohet kryesor i ekipit, Romelu Lukaku. Gjigandi belg më në fund shënoi dy gola për Çelsin në Premier Ligë, veçse përveç kënaqësisë personale ato nuk sollën ndonjë gjë të madhe për blutë e Londrës. Këtë herë nuk ishte faji i Lukakut, por i gjithë ekipit që nuk mbajti dot rezultatin 2-0, dhe u lejua të barazohej në stëpi nga Uolvesi me shifrat 2-2. Trinkao dhe Koudi shënuan në 79’ dhe 90’ duke e lënë të habitur e të zemëruar trajnerin Tomas Tuhel. Tekniku gjerman kërkoi nga Boehli që ta përfundonte sa më shpejt blerjen e klubit, në mënyrë që të ngrinte moralin e futbollistëve që e kanë humbur fare që pas eliminimit nga Championsi, edhe pse dominuan dhe fituan në fushën e Realit. Çelsi ka 67 pikë në vend të tretë të Premier Ligës, por Arsenali dhe Totenhemi kanë mundësi që ta arrijnë.

Sfidanti.al