Liverpuli mund sërish Çelsin me penallti, fiton Kupën e Anglisë, mund të marrë 4 trofe!

Më i vështiri nga të gjithë mbetet titulli në Premier Ligë, ku të kuqtë nuk e kanë në dorë fatin e tyre, ndërsa për gjithçka tjetër mund t’ia dalin. Liverpuli arriti një tjetër sukses të madh këtë sezon duke fituar Kupën e Anglisë, pas një tjetrë drame ndaj Çelsit në finalen e “Uemblit”. Pas barazimit 0-0 për 120 minuta, ekipi i trajnerit Jurgen Klop fitoi 6-5 pas penalltive me gjuajtjen e fundit të shënuar nga mbrojtësi grek, Kostas Cimikas. Sezar Azpilikueta dhe Mejzën Maunt gabuan për Çelsin, ndërsa Sadio Mane për Liverpulin.

Të kuqtë ishin ekipi më i mirë në fushë, ndonëse jo gjatë gjithë kohës dhe blutë e Londrës patën gjithashtu raste të pastër për të shënuar. Liverpuli e mbajti më shumë topin dhe lëshoi më shumë gjuajtje drejt portës, 17 ndaj 10, edhe pse në kuadrat pati vetëm nga 2. E njëjta gjë ndodhi në finalen e Kupës së Ligës (Karabao), në muajin shkurt që ekipi i Klopit e fitoi pas gjuajtjes së penalltive, me 120 minutat që përfunduan 0-0. Trajneri gjerman mund të jetë i lumtur me trofeun e dytë sezonal, ndërsa synohet Championsi me finalen ndaj Realit si dhe Premier Liga. Tashmë, ai ka fituar me Liverpulin një Champions, një Premier Ligë, një Superkupë të Europës, një Kupë të Botës për klubet, një Kupë të Anglisë dhe një Kupë të Ligës angleze (Karabao), që do të thotë, 6 trofe. Gjithsesi, pati shqetësim për fatin e Mohamed Salahut që u dëmtua që në pjesën e parë, si dhe për gjendjen fizike të Van Dajkut që doli nga loja gjatë shtesave.

Sfidanti.al