Nuk dorëzohet kurrë kjo skuadër, as kur goditet që në fillim. Liverpuli u shfaq sërish si një kandidat i madh për titull në Premier Ligë, duke përmbysur dizavantazhin e hershëm ndaj Njukasëllit e duke arritur fitoren e pestë radhazi. Pasi miqtë kaluan në epërsi në “Anfild” me anë të Xhetro Uillemsit në minutën e 7-të, skuadra e trajnerit Jurgen Klop mori lojën në dorë, duke treguar qartë se suksesi nuk do t’i shpëtonte nga dora.
Sadio Mane ishte heroi i pjesës së parë, autor i dy golave, por i gjithë Liverpuli shkëlqeu. Sidomos lojtarët e krahut, Robertson e Aleksandër-Arnold, mbrojtësit e qendrës Van Dajk e Matipi, si dhe mesfushorët Fabinjo e Vajnaldum. Mane realizoi në minutat 28-të e 40-të, duke i dhënë vendasve epërsinë që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit u shfaq heroi tjetër.
Mohamed Salah shënoi golin e tretë të ndeshjes, me të kuqtë që barazuan dy rekorde në Premier Ligë. Së pari, ata u bënë skuadra e tretë që arrin 5 fitore në 5 ndeshjet e para dy sezone radhazi. Po ashtu, u bënë skuadra e tretë, bashkë me Çelsin e Mançester Junajtidin, që shënojnë më shumë se 100 gola ndaj një skuadre të vetme që kur u krijua Premier Liga në 1992.
Më i rëndësishëm sesa barazimi i rekordeve ishte fakti se Liverpuli u ngjit në kuotën e 15 pikëve, duke forcuar pozitat në krye të renditjes, ndërsa sfida për titull duket se do të jetë sërish shumë e fortë ndaj të njëjtit rival, Mançester Sitit. Po ashtu, që mes Sadio Manesë dhe Mohamed Salahut nuk ka asnjë qejfmbetje.
Sfidanti.al