Një skuadër që del 8 herë radhazi kampione nuk mund të qortohet për një barazim. Aq më tepër kur është java e tretë. Gjithsesi, nuk kemi të bëjmë me një kampione normale, por me Juventusin që, për më tepër, ka edhe një trajner të ri në stol, dhe çdo gjë do të shikohet me “lupë”. Barazimi 0-0 në Firence nuk ishte vetëm një dëm me dy pikë të humbura e tre lojtarë të lënduar, por sidomos një ndeshje e luajtur keq, ku Fiorentina dominoi dhe duhej të kishte fituar.
Kjo është skuadra e ndërtuar për të fituar Championsin, nga Andrea Anjeli dhe Mauricio Sarri? Fiorentina pati goditjet nga këndi 8-0, gjuajtjet 8-4, krijoi më shumë raste të rrezikshëm, por gaboi shumë. Kampionët u dukën një herë në gjendje për të rrezikuar, një kombinim Higuain-Kuadrado-Ronaldo në pjesën e dytë, por pa rezultat. Piemontezët humbën edhe 3 lojtarë me dëmtime, Dagllas Kostën, Pjaniçin dhe Danilon, ndërsa i ndajnë vetëm pak ditë nga supersfida ndaj Atletikos në Champions.
Në përfundim të ndeshjes, që ishte e para për Sarrin në stol këtë sezon pas sëmundjes, pati tifozë juventinë që u ankuan, dhe tifozë të tjerë që u treguan ironikë. Disa prej tyre u tallën në rrjetet sociale duke shkruar “në ktheni Martushelon”, duke e pasur fjalën për trajnerin e dytë juventin që drejtoi ekipin në ndeshjet e tjera në mungesë të Sarrit.
Sfidanti.al