Dikur, në sezonin 1993-1994, Noruiç Siti pati një sezon të mrekullueshëm në Europë. Skuadra e stadiumit “Karrou Roud” u ndesh dhe triumfoi ndaj “Madhërisë së tij”, Bajernit të Mynihut, ndërsa një raund më pas në Kupën UEFA u ndesh heroikisht me Interin e Milanos, që kishte në radhët e veta Zengën, Bergomin, Ferrin, Vim Jonkun, Nikola Bertin, Bergkampin, Pançevin, Ruben Sozën dhe Skilaçin. U mund dy herë 0-1, por tifozët e Noruiçit deklaruan sportivisht se “ishte kënaqësi të vizitonim stadiume të mëdhenj si “Olimpiashtadion” i Mynihut apo “San Siro” i Milanos”.
Sot, ishte Mançester Siti që vizitoi stadiumin e tyre, skuadra kampione e dyfishtë e Anglisë, e drejtuar nga “guruja” i futbollit, Pep Guardiola, dhe me superyje në përbërje. Një tjetër festë për tifozët e Noruiçit, pasi skuadra e tyre i shkaktoi humbje atij që njihet si ekipi më i shtrenjtë në botë, me vlerë 1 miliardë euro. Keni Meklin dhe Tod Kantuell i dhanë epërsin 2-0 vendasve, Sergio Aguero shkurtoi diferencën në fund të pjesës së parë, por finlandezi Temu Puki goditi edhe një herë. Nuk bëri punë rrjeta e vonshme e Rodrit.
Kjo humbje do të thotë që Mançester Siti është 5 pikë prapa Liverpulit në garën për titull në Premier Ligë, kur janë luajtur vetëm 5 ndeshje deri tani. Një epërsi e madhe e të kuqve të Klopit, të cilën duan trofeun e parë në 30 vjet, ndërsa duket se kampionët po ndihen të ngopur nga dy titujt radhazi, por edhe të goditur nga dëmtimet.
Sfidanti.al