Gol pas 126 ditësh mungesë, Nejmari i bën të lumtur edhe armiqtë!

Interesi është themeli i shoqërisë njerëzore dhe nuk bën përjashtim nga kjo as një klub futbolli, me drejtuesit, futbollistët e tifozët. Paris SG, një nga klubet më të pasur dhe ambiciozë të botës, ka gjithashtu interesat e veta dhe për këtë arsye gjithkush në kryeqytet do ta falë Nejmarin nëse ai arrin të bëjë mrekulli për skuadrën që nuk e do aspak. Goli i shënuar prej tij në minutën e 91-të të sfidës në “Park dë Prensis” ndaj Strasburgut, i dha fitoren 1-0 parizienëve dhe i nxorri në krye të renditjes së ligës së parë franceze pas 5 javësh.

Ishte një pasdite aspak e lehtë për brazilianin, që u ofendua nga tifozët besnikë të PSG-së, me banderola dhe thirrje, u quajt “ku…”, por gjithsesi zhvilloi një ndeshje të madhe e siguroi fitoren. Nëse do ta bëjë përsëri në mesjavë, në duelin e Championsit ndaj Realit, pajtimi prej zorit me tifozët do të jetë më i madh. Kjo, gjëja më e shenjtë e tifozëve është suksesi i ekipit të zemrës, dhe nëse një lojtar ndihmon për këtë, i harrohen mëkatet.

Suksesi në futboll qenka njëlloj si ndonjë seancë rrëfimi mëkatesh në prani të priftit. U deshën 126 ditë që Nejmar të kthehej tek Paris SG, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai dëshironte të largohej, diçka që nuk ka dashur ta fshihte. Duket se në Paris do të vazhdojë kjo bashkëjetesë e vështirë, ku palët do të lidhen nga interesi.

Sfidanti.al