Liga e Europës, vetëm emrat e mëdhenj fitojnë të parën!

Pak rëndësi se nga cili vend je, vlerë ka nëse je skuadër e madhe apo jo. Liga e Europës pati respekt vetëm për ekipet me lavdi në ndeshjet e para të turit të dytë. Që nga Milani, për të vazhduar me Arsenalin, Atletikon e Madridit, Dortmundin apo Lionin, tradita bëri të vetën, ndërsa përfaqësueset e Italisë nuk është se u ndanë mirë.

Milani triumfoi 3-0 në Bullgari ndaj kampiones Ludigirec, me rrjeta të shënuara nga Kutrone, Rodrigez (penallti) dhe Borini. Arsenali ia doli gjithashtu jashtë, në Suedi ndaj Ostersundit po 3-0. Naço Monreal, Papajanopulos (autogol) dhe Mesut Ozil ishin autorët. Borusia e Dortmundit kaloi një dramë të vërtetë ndaj Atalantës në “Signal Iduna Park”, pasi u ndodh në 0-2 dhe fitoi 3-2. Andre Shyrrle kaloi gjermanët përpara, pastaj Josip Iliçiç përmbysi shifrat për italianët, ndërsa Miçu Baçuai, i marrë hua nga Çelsi, vulosi fitoren vendase.

Atletiko e Madridit fitoi po ashtu me përmbysje (4-1 nga 0-1) në Danimarkë ndaj FC Kopenhagenit, Marseja theu 3-0 në “Velodrom” Bragën portugeze, ndërsa Nisës nuk i mjaftuan dy golat e Balotelit, pasi në shtëpi u mund 2-3 nga Lokomotiv e Moskës. Lacio aq e fortë në Serinë A, doli e mundur nga fusha në Bukuresht të Rumanisë, 0-1 ndaj Steauas. Napoli u thye keq në “San Paolo” 1-3 nga Lajpcigu gjerman, ndërsa Lioni kaloi 3-1 Vijarrealin spanjoll.

Nga lojtarët shqiptarë, Etrit Berisha luajti gjithë ndeshjen për Atalantën, Elseid Hysaj u aktivizua 54 minuta për Napolin, ndërsa Tomas Strakosha ishte titullar për Lacion.

Rezultatet: Dortmund-Atalanta 3-2, Ludogorec-Milan 0-3, Astana-Sporting Lisbonë 1-3, Marsejë-Braga 3-0, Nisë-Lokomotiv Moskë 2-3, Ostersund-Arsenal 0-3, Real Sociedad-Salcburg 2-2, Spartak Moskë-Atletik Bilbao 1-3, AEK Athinë-Dinamo Kiev 1-1, Sëlltik-Zenit Shën Petersburg 1-0, FC Kopenhagen-Atletiko Madrid 1-4, Lion-Vijarreal 3-1, Napoli-Lajpcig 1-3, Partizan Beograd-Viktoria Plzenj 1-1, Steaua Bukuresht-Lacio 1-0.

Sfidanti.al