Liga e Europës, Mançester Junajtid pranë një tjetër gjysmëfinaleje

Sezonin e kaluar u ndalën në katërshe nga Sevilja, ndërsa këtë herë janë pranë katërshes duke kaluar një tjetër skuadër spanjolle. Mançester Junajtidi është gati t’i japë trajnerit Ole Gunar Solskjer një tjetër gjysmëfinale, ndërsa këta dy vjet ka pasur disa të tilla në kontinent dhe në Angli. Fitorja 2-0 në fushën e Granadës tregoi gjithë diferencën financiare dhe në klas të dy ekipeve, ndërsa golat u shënuan nga Markus Rashford dhe Bruno Fernandes. Rashford bëhet i pari lojtar i “djajve të kuq” që shënon të paktën 20 gola në dy sezone me radhë, që nga koha e Uejn Runit 11 vjet më parë. Granada, që kushtoi 7 milionë euro për t’u krijuar si ekip nuk mundi ta rrezikonte portën e De Geas, por duhet të jetë krenare për këtë që ka bërë.

Përveç Junajtidit, një hap drejt gjysmëfinaleve bënë Roma dhe Vijarreali, ndërsa Sllavia e Pragës mori një barazim të çmuar në fushën e Arsenalit. Roma triumfoi 2-1 në Amsterdam ndaj Ajaksit ndihmuar edhe nga fakti se Dushan Tadiç humbi penalltinë që mund t’u kishte dhënë holandezëve epërsinë 2-0. Klasen shënoi për vendasit, Pelegrini dhe Ibanjez për italianët. Vijarreali fitoi 1-0 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit ndaj Dinamos vendase me golin e Gerard Morenos me penallti, ndërsa në “Emirejts” u shënua vonë. Arsenali kaloi në avantazh me sulmuesin Nikolas Pepe në 86’, por çekët barazuan në minutën e 4-ët shtesë me Tomas Holesin.

Ndeshjet e para çerekfinale: Granada-Mançester Junajtid 0-2, Ajaks-Roma 1-2, Arsenal-Sllavia Pragë 1-1, Dinamo Zagreb-Vijarreal 0-1. Ndeshjet e kthimit luhen në 15 prill.

Sfidanti.al