Nuk do të ketë shqiptarë në pranverë në Ligën e Europës. Ky është verdikti i ndeshjeve të fundit, luajtura sot. Zyrihu, me Armando Sadikun dhe Burim Kukelin në fushë, si dhe Karabaku me Ansi Agollin, u detyruan t’i thonë lamtumirë për këtë sezon kontinentit. Zyrihu u mund 2-0 në fushën e Osmanlisporit në Turqi, ku Kukeli mori të verdhë në fund. Edhe Karabaku e mbylli me humbje në fushën e vet, ndërsa kishte shpresë nëse fitonte. Skuadra nga Azerbajxhani, u mposht nga Fiorentina me rezultatin 1-2, pavarësisht golit të Reinaldos. Në turin tjetër kaluan Fiorentina dhe PAOK-u që fitoi në Greqi 2-0 ndaj Liberecit çek.
Vazhdon aventurën europiane Mançester Junajtid, që triumfoi 2-0 në Ukrainë, ndaj Zorias së Luhanskut. Ndeshja e luajtur në Odesë u sigurua nga golat e armenit Henrik Mkitarian dhe Zllatan Ibrahimoviçit, ndërsa në vendin e parë në grup doli Fenerbahçe që triumfoi 1-0 në Roterdam ndaj Fejënordit me rrjetën e Musa Sout.
Kualifikohen edhe APOEL i Nikozisë dhe Jang Bojs i Zvicrës në grupin B (eleminohet Olimpiakos, i mundur 0-2 në Qipro), po ashtu Sent Etieni francez dhe Anderlehti belg në grupin C, ku u detyrua të largohej Mainci i Gjermanisë. Në grupin D, Zeniti i Shën Peterburgut përfundoi në vend të parë, megjithë humbjen pa rëndësi në Holandë, me AZ Alkmarin. Skuadra holandeze aloi po ashtu turin, ashtu si Roma dhe Astra e Rumanisë në Grupin E. Këto dy skuadra e mbyllën 0-0 ndeshjen në “Olimpiko” të kryeqytetit italian, ndërsa u eleminuan Plzen e Çekisë dhe Austria e Vjenës.
Në grupin F, Atletik i Bilbaos barazoi 1-1 në Austri me Rapidin, ndërsa renditja përfundimtare e grupit do përcaktohet nga dueli i anuluar, Sasuolo-Genk. Së fundi, në grupin H, Shahtar i Donjeckut arriti fitoren e gjashtë në 6 ndeshje, 4-2 në fushën e Bragës, ndërsa Genti fitoi 1-0 në Turqi, me Konjasporin. Shahtar e Gent kaluan turin.