Levandovski vazhdon të jetë një “Gerd Myler”, polaku nuk rresht me golat!

Goli i shënuar me thembër që në minutën e 4-ët në “BayArena” tregoi gjithçka. Robert Levandovski mbetet një sulmues i jashtëzakonshëm dhe pavarësisht se mosha ecën, ai bëhet gjithnjë e më i mirë. Është 33 vjeç, por mund të thyejë çdo rekord, siç theu atë të golave në një sezon të vetëm të Bundesligës sezonin e kaluar duke arritur në 41 ndaj 40 të Gerd Mylerit. Këtë sezon vazhdon po ashtu, me 9 rrjeta në 8 ndeshje (baraz me Halandin), ndërsa Bajerni kryeson me 19 pikë ndaj 18 të Dortmundit, pas fitores 5-1 në Leverkusen.

Levandovski ka 286 gola në Bundesligë, duke pasur shanse të mëdha për të thyer rekordin tjetër legjendar të Gerd Mylerit me 365, por vetëm nëse nuk largohet, sepse për një gjë të tillë do t’i duheshin edhe dy sezone e gjysmë të paktën, pra që të qendronte në Mynih deri në 2024, një vit pas skadimit të kontratës së tanishme. Ai ka arritur maja tepër të larta me Bajernin sepse ka 212 rrjeta në kampionat në vetëm 227 ndeshje, dhe 309 gjithsej në 340 paraqitje! Në këtë moment, Levandovski bëhet një nga të paktët futbollistë që kalon kufirin e 500 golave për ekipet e klubeve (501).

Me 25 tituj në karrierë, duke nisur në Poloni me Lehun e Poznanit, pastaj në Gjermani me Dortmundin e Bajernin, polaku është një nga lojtarët më fitues në histori, edhe pse i duhen ende fitore të tjera për të arritur tek të tillë si Dani Alvesh, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo.

Sfidanti.al