Për momentin e ka ngjyer këmbën me “miell” dhe ka hedhur supeve “lëkurën e deles”. Zhoze Murinjo nuk ka dëshirë të jetë “ujku” i zakonshëm i polemikave edhe pse pati gjithë të drejtën me vete që të reagonte fort e të thërriste se e vodhën. Roma u mund 0-1 në fushën e Juventusit, ndërsa mund të kishte marrë të paktën barazimin, veçse një vendim i arbitrit prishi gjithçka duke dhënë penallti në vend që të jepte gol. Mou sidoqoftë deshi ta shikonte gotën gjysmë plot.
“Në fund të fundit mbetet një humbje, – thotë portugezi i Romës, – por kur shoh projektin dhe rritjen e skuadrës, duhet të them se skuadra që meritonte rezultatin, humbi. i bëj komplimente gjithë njerëzve të mi, organizimit të klubit, mjekëve, lojtarëve. Një i dëmtuar si Abraham u bë gati në kohë. Minimalisht meritonim barazimin, ndonëse në pushim thashë se ndeshja nuk dilte barazim. Dua që të izolohem nga momenti i penalltisë, nuk dua të komentoj dhe dua të përqëndrohem tek ajo që bëri skuadra. Mjaftojnë fjalët që juventinët na thanë në korridor, ndonjëri edhe publikisht, sepse ne e merituam”.
Sfidanti.al