Levandovski mund të kishte qenë tek Leverkuseni, jo tek Dortmundi!

Të paktën, kjo është ajo që thotë agjenti i tij, Maik Bartel. “A e keni përmendur ndonjëherë se skautët e Leverkusenit, pasi e vëzhguan Levandovskin, gjykuan se ai nuk ishte i aftë për të luajtur në Bundesligë, – thotë Barteli, – prandaj, nuk deshën që ta merrnin?” Kjo, kur Levandovski luante ende në Poloni dhe në një ndeshje nuk arriti të shënonte. Historia vazhdoi kur sulmuesi pati një postim në Tuiter duke shkruar se “unë jam manjak për shënimin e golave”, dhe klubi i Leverkusenit bëri një koment ku shkruhej “ne mund ta kurojmë këtë gjë”. Një tallje, pra, por qesh mirë ai që qesh i fundit, dhe Levandovski sot është padyshim lojtari më i mirë i Bundesligës.

“Nuk është e vërtetë se nuk deshëm ta merrnim Levandovskin, – thotë Volfgang Holcheuzer, ish-shefi ekzekutiv i Leverkusenit, – kjo nuk ka kuptim që ne i paskemi refuzuar atij mundësinë për të luajtur në Bundesligë, ai nuk ka qenë temë e jona”. Gjithsesi, gazeta “Bild” shkruan se ka informacion që Leverkuseni, në atë kohë, po vëzhgonte 7 lojtarë polakë, njëri prej të cilëve ishte Levandovski. Gjithsesi, ekziston edhe një klub tjetër që e refuzoi polakun, Sportingu i Gihonit në Spanjë, pikërisht atë verë kur Leva kaloi tek Lehu i Poznanit. Ai shkoi tek Dortmundi në 2010, për 4.5 milionë euro, ndërsa më pas kaloi tek Bajerni me parametër zero.

Sfidanti.al