Protesta pati, po ashtu humbje kohe, dhe në këtë mënyrë u humb mundësia për të kërkuar të drejtën. Një kosh me zhytje nga Xhejms Harden nuk u cilësua i vlefshëm në ndeshjen San Antonio-Hjuston, me gjyqtarët që gabuan dhe me trajnerin vendas, Majk D’Antoni që nuk arriti të shfrytëzonte kohën prej 30 sekondash që i jepte rregullorja për të kërkuar rishikim zyrtar të vendimit. Topi fillimisht hyri në kosh, por pastaj u ngatërrua në rrjetë dhe papritur doli prej tij. Gjyqtari Xhejms Kepërs (James Capers) pranoi se nuk ishte marrë vendimi i drejtë, por edhe se D’Antoni humbi kohën duke protestuar, në vend që të bënte kërkesën zyrtare.
Gjithsesi, besohet se ky moment do të rishikohet dhe ekziston mundësia që NBA-ja të bëjë të luhen edhe një herë 7 minutat e 50 sekondat që kishin mbetur deri në fund të ndeshjes. Në momentin që Hardeni realizoi zhytjen, Hjustoni kryesonte 102-89, por pastaj ndeshja shkoi me dy kohë shtesë dhe u fitua nga San Antonio 135-133. Harden shënoi 50 pikë, por gaboi shumë në gjuajtje, duke realizuar vetëm 29 për qind nga loja dhe 20 për qind nga distanca. Ai ishte 100 për qind i saktë në gjuajtjet e lira.
Sfidanti.al