Levandovski kalon mësuesin, Jup Hajnkes ka një “ditiramb” për të!

Në Greqinë e Lashtë, fjala “ditiramb” (διθύραμβος) u krijua si poezi për Dionisin, Zotin e verës dhe pjellorisë. Një poezitë të tillë ka edhe Jup Hajnkesi për më “pjellorin” e sulmuesve të Bundesligës dhe të Europës, Robert Levandovskin. Polaku 31-vjeçar është vërtet një Zot i kënaqësisë në futbollin gjerman, ndërsa sapo tejkaloi mjeshtrin Hajnkes, ish-mësuesin e tij tek Bajerni. Leva ka 221 gola në Bundesligë në karrierë, Hajnkes mbërriti deri në 220, kryesisht me Borusian e Mynshenglabahut.

“Ai është një lojtar i klasit absolut botëror, – tha 73-vjeçari gjerman, – sidomos këtë sezon. Ishte një privilegj për mua që të punoja me të. Ai e meriton të më kalojë në listën e përjetshme të shënuesve. Admirimi im më i madh është për profesionalizmin, ambicien, pasion, formën fizike dhe nuhatjen për gol”. Levandovski ka 30 gola në 24 ndeshje këtë sezon, 19 në Bundesligë, 10 në Champions, 1 në Kupën e Gjermanisë.

Në renditjen e të gjitha kohëve të Bundesligës, Gerd Myleri duket i paarritshëm me 365 gola, por Klaus Fisheri nuk është shumë larg. Ish-sulmuesi i Shalkes, TSV 1860 Mynihut, Këlnit e Bohumit arriti në 268 rrjeta në karrierë, dhe polakut i duhen edhe 47 gola për t’ia dalë. Me gjasë, kjo mund të ndodhë në sezonin 2022-2023, nëse ai do të jetë ende duke luajtur në Bundesligë. Përsa i përket raportit gol për ndeshje, Levandovski është i dyti vetëm pas Mylerit, me mesataren 0.72 ndaj 0.85 të “Bomberit të Kombit”.

Sfidanti.al