Levandovski favorit për Këpucën e Artë; Mesi, CR7 e Mbape janë pas tij!

Thuajse askush nuk kishte më besim tek ai, por nxitimi gjithnjë është i gabuar. Lionel Mesi, pas një viti tepër të vështirë 2020, po shkëlqen në motin e ri duke e konfirmuar edhe në ndeshjen e fundit. Kapiteni i Barcelonës shënoi në fitoren e rëndësishme të katalanasve në fushën e Seviljes, ku treguan se pavarësisht problemeve në Champions, mbeten pretendentë për titullin në Spanjë. Argjentinasi 33-vjeçar shërbeu edhe pasimin për golin e parë me autor Usman Dembelenë. Statistikat thonë se Mesi ka 14 gola në 14 ndeshje në 2021, më shumë se çdo lojtar tjetër në Europë, përfshi këtu Levandovskin, Ronaldon, Mbapenë apo Halandin.

Gjithsesi, në sfidën për Këpucën e Artë europiane, askush nuk mund të matet me Levandovskin. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut arriti në 28 gola këtë edicion të Bundesligës, pasi realizoi dy herë në suksesin 5-1 ndaj Këlnit. Polaku është i shkëputur ndjeshëm në renditjen e Këpucës së Artë, duke pasur 56 pikë, gati 16 pikë më shumë sesa rivali më i afërt. Levandovski synon të thyejë rekordin legjendar të Gerd Mylerit që shënoi 40 gola në një sezon të Bundesligës në 1972.

Yjet e tjerë të mëdhenj të rrjetës janë pranë e pranë. Kristiano Ronaldo ka po aq gola në kampionat, sa Lionel Mesi, 19 në Serinë A, duke pasur që të dy nga 38 pikë. Kilian Mbape është dominues në Ligën e Parë të Francës me 18 gola, ndërsa realizoi dy herë në suksesin 4-0 të Paris SG në fushën e Dizhonit. Mohamed Salah i Liverpulit ka 17 gola në Premier Ligë.

Fenomeni norvegjez i Dortmundit, Erling Haland, një nga sulmuesit më të fortë të botës, është në kuotën 17 gola në Bundesligë, por nuk mund të jetë pretendent sepse Këpucën e Artë në Gjermani duhet ta fitojë Levandovski. Gjithsesi, më pranë yllit të Bajernit për momentin ndodhet pikërisht një sulmues që luan në Norvegji. Ky është Kasper Junker, danezi 26-vjeçar që shënoi 27 gola në 2020 për Bodo Glimtin dhe që ka 40.5 pikë në renditjen e Këpucës së Artë të Europës.

Renditja

Levandovski 28 gola, 56 pikë

Kasper Junker, 27 gola, 40.5 pikë

Mesi 19 gola, 38 pikë

Ronaldo 19 gola, 38 pikë

Mbape 18 gola, 36 pikë

Salah 17 gola, 34 pikë

Haland 17 gola, 34 pikë

Sfidanti.al