Ish-trajneri i Dortmundit dhe i Bajernit beson se Bajerni dhe kombëtarja gjermane do të jenë të kënaqura me njerëzit që do të drejtojnë skuadrat e tyre. Otmar Hicfeld vlerëson lart Hansi Flikun dhe Julian Nagelsmanin, që do të kenë lëvizje të rëndësishme në verë. Flik largohet nga Mynihu për tek Gjermania, ndërsa Nagelsmani lë Lajpcigun për Bavarinë. “Flik solli tek Bajerni një komponent njerëzor tepër të rëndësishëm, – thotë Hicfeldi, – ai respektoi lojtarët, e udhëhoqi skuadrën, dhe këto kanë të paktën po aq rëndësi sa edhe skemat taktike apo puna teknike. Ai është zgjedhje e shkëlqyer për DFB-në”. “Nagelsmani është një trajner shumë i mirë, edhe pse tek Bajerni ka presion të madh dhe je nën vëzhgim gjithë kohën, – tha ish-kampioni i dyfishtë i Europës, – as Bajerni nuk rrezikon me Nagelsmanin, dhe as Nagelsmani nuk rrezikon me Bajernin”.
Sfidanti.al